• en
  • mk
  • sq
  • en
  • mk
  • sq

Modeli Nansen për arsim interkulturor

Promovim Libër bashkëbisedimesh maqedonisht-shqip / shqip-maqedonisht

Qendra për Dialog – Nansen, si një organizatë joqeveritare, por shumë e suksesshme, prore ka promovuar dhe po promovon vlera për një arsim sa më cilësor duke i mbështetur në ndërkulturalizëm dhe kohezion ndëretnik. Ky Libër bashkëbisedimesh maqedonisht-shqip dhe shqip-maqedonisht është projekt që u mbështet edhe nga Komisari i Lartë i Pakicave Kombëtare ndërsa e hartuan dy autorë, që të dy profesorë universitarë: prof. dr. Berton Sulejmani dhe prof. dr. Veselinka Labroska.

Ky libër bashkëbisedimesh u botua në vitin 2019. Krahas botimit si libër, me letër shumë kualitative, të njëjtin, mund ta shkarkoni/përdorni nëpërmjet aplikacionit falas në internet-adresën të cilën e ka përgatitur Vane Rujkov. Nëpërmjet këtij aplikacioni elektronik, ju mund të dëgjoni drejtshqiptimin e teksteve të dialogëve nga zërat e spikerëve të dëshmuar, të cilët, janë folës të së njëjtës gjuhë. Kjo është vegëza elektronike www.fraza.mk nga ku mund ta shkarkoni këtë libër bashkëbisedimesh. Poashtu këtë libër bashkëbisedimesh mund ta shkarkoni falas për telefon celular Android nga Play Store dhe për iOS nga App Store.

Libri përmban këto pjesë: Parathënie, Përmbajtje e Fjalë themelore brenda së cilës janë dhënë këto përmbajte: Numra, Përshëndetje, Shprehje të mirësjelljes, Ditë të javës, Muaj të vitit, Emra qytetesh të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Emra qytetesh të mëdha nga rajoni i afërt, Emra shtetesh, Festa, Frazeologji shqip-maqedonisht, Frazeologji maqedonisht-shqip. Në vazhdim, përkatësisht në pjesën kryesore të librit janë përfshirë 42 dialogë në të cilët janë dhënë situata interesante e karaktere të veçanta. Ja disa nga titujt të dialogëve: Në taksi, Në stacionin hekurudhor, Në tren, Në qoshk, Në autobusin e qytetit, Në gjimnaz, Në postë, Për në aeroport, Informacione, Njohje, Në kampin veror, Në zyrën e gjendjes civile, Te këpucëtari, Në restorant, Në treg, Shëtitje, Udhëtim me anije etj.

Dialogët realizohen nëpërmjet karaktereve të veçanta të cilët flasin në gjuhën standarde shqipe e maqedonase, por që dialogu të jetë sa më i kapshëm, kemi dhënë edhe variante të gjuhës së përditshme. Pas secilit dialog, është dhënë nga një fjalorth me fjalë/shprehje të marra nga situata e dhënë dhe nga një pjesë fare e shkurtër për njohje elementare të gramatikës duke veçuar një pjese të ligjëratës (folje, emër, mbiemër, përemër, lidhëz, parafjalë, nyje etj.) nga dialogu i dhënë. Të gjithë këtë mbarështim, e kanë menduar dhe e kanë punuar me përkushtim të madh, autorët Sulejmani e Labroska. Për t’i thelluar njohuritë, në fund të çdo dialogu, kanë dhënë nga një fjalë të urtë me kuptim të njëjtë për të dy gjuhët, shqipen e maqedonishten. Brenda dialogëve, janë dhënë edhe fakte të rëndësishme historike e gjeografike për ato vende ku dhe zhvillohet ngjarja nga personazhet e këtij libri.

Me ndihmën e këtij Libri bashkëbisedimesh, gjithsecili që do, mund ta mësojë qoftë gjuhën maqedonase, qoftë gjuhën shqipe. Nëpërmjet dialogëve të këtij libri, madje i pari i këtij lloji në vendin tonë, mund të mësoni drejtshqiptimin dhe drejtshkrimin e të dy gjuhëve, më lehtë dhe më shpejt, vetëm duke shtypur disa butona që ua jep aplikacioni elektronik i tij www.fraza.mk, ose nëpërmjet mënyrës më të zakonshme, duke shfrytëzuar versionin e shtypur.

Me këtë libër bashkëbisedimesh, Qendra për Dialog – Nansen dhe Komisari i Lartë i Pakicave Kombëtare, mundësuan realizimin edhe të një projekti tejet të bukur, gjithnjë, për ta nxitur komunikimin ndërmjet dy popujve të Gadishullit Ballkanik. Bashkë me Fjalorin maqedonisht-shqip dhe shqip-maqedonisht të botuar më herët (i njëjti edhe në version elektronik www.hcnm-ndc.org), këto dy projekte, ndihmojnë dhe e ngritin një shkallë më lartë nivelin e mirëkuptimit dhe të kohezionit ndëretnik në Republikën e Maqedonisë së Veriut.